A mund të jetë nënpesha pasojë e ndonjë sëmundjeje?

0
47

Yllka Themeli, mjeke endokrinologe

Nënpesha shpesh herë mund të jetë rezultat i një sëmundjeje mendore ose fizike. Si të tilla mund të përmendim hipertireozën, diabetin e sheqerit, sëmundjen e kancerit, tuberkulozin, SIDA-n, patologjitë e aparatit tretës dhe anoreksinë nervore.

Hipertireozaështë një sëmundje e gjendrës tiroide, që karakterizohet nga shtimi i funksionit të saj. Pra, kjo gjendër prodhon hormone në sasi më të mëdha se zakonisht, dhe efektet e këtyre hormoneve në organizëm do të jenë të egzagjeruara. Një hallkë e rëndësishme ku këto hormone veprojnë fuqishëm është metabolizmi i lëndëve. Ato e nxitin metabolizmin e lëndëve, duke e përshpejtuar atë. Kjo reflektohet, ndër të tjera, edhe me dobësimin trupor (rënien në peshë). Në rastin e hipertireozës, nënpesha shoqërohet nga oreksi i tepruar, pra me ngrënie të sasive të mëdha të ushqimit. Ky binom karakteristik i kësaj patologjie ka vlerë mjaft të madhe në vënien e diagnozës. Zakonisht hipertireoza shfaqet tek femrat, në moshën mbi 40 vjeç.

Diabeti i sheqeritështë një sëmundje, e cila karakterizohet nga rritja e nivelit të sheqerit në gjak, dhe që shoqërohet me çrregullime të tjera të metabolizmit në organizëm. Ashtu si edhe në rastin e hipertireozës, rënia në peshë shoqërohet me oreks të shtuar, por edhe me simptoma të tjera të rëndësishme si tharja e gojës, etja e egzagjeruar dhe urinimi i shpeshtë.

Sëmundja e kanceritshfaqet me simptoma lokale, të lidhura me zonën ku gjendet kanceri, dhe me simptoma të përgjithshme, që përfshijnë të gjithë organizmin. Një ndër këto të fundit është rënia në peshë, e cila shoqërohet zakonisht me mungesën e oreksit, ndjenjën e pafuqisë (lodhjes trupore), të përziera, të vjella, etj. Faktorët ambientalë (duhani, obeziteti, infeksionet, rrezatimi, stresi, jeta sedentare, ajri i ndotur) janë mjaft të rëndësishëm në shfaqjen e kancerit. Ato shkaktojnë shfaqjen e 90-95% të kancereve. Ndërkohë që trashëgimia ndikon në shfaqjen e 5-10% të tyre.

Tuberkuloziështë një sëmundje infektive e shkaktuar nga mykobakteri i tuberkulozit. Ajo prek kryesisht mushkëritë, por mund të dëmtojë edhe organe të tjera si sistemi nervor qendror, sistemi limfatik, aparati urinar, aparati gjenital, kockat,etj. Rënia në peshë përbën një nga simptomat e shumta të kësaj patologjie, që janë kolla kronike, e shoqëruar me gëlbazë me gjak, temperatura e lartë, djersitja gjatë natës, mungesa e oreksit dhe lodhja trupore.

SIDAështë një sëmundje kërcënuese për jetën e shkaktuar  nga virusi HIV, që mund të shkaktojë rënie të padëshiruar në peshë. Një person me virusin HIV/AIDS mund të mos ketë simptoma për vite me radhë. Gjatë kësaj periudhe virusi mund të shkaktojë infeksione të lehta ose simptoma kronike si zmadhim të gjendrave limfatike, rënie në peshë, diarre, temperaturë ose vështirësi në frymëmarrje. Çdo individ që mund të ketë kryer marrëdhënie seksuale të pambrojtura me partnerë të ndryshëm, ose me ndonjë partner të infektuar me virusin HIV, që ka injektuar drogën me shiringa të përdorura, që ka një sëmundje tjetër seksualisht të transmetueshme, ose që i është nënshtruar transfuzionit të gjakut, paraqet risk të lartë për HIV/AIDS. Për këtë arsye duhet të testohet në këtë drejtim.

Sëmundjet e aparatit tretës(të stomakut dhe zorrëve) zakonisht shkaktojnë rënie të padëshiruar në peshë. Kështu, në sëmundje të tilla si: Koliti ulçerativ, Sëmundja Crohn, Ulçerat peptike dhe Sëmundja celiake, rënia në peshë mund të jetë pasojë e uljes së oreksit ose e mosthithjes së plotë të ushqimeve në nivelin e zorrëve. Rënia në peshë në këto raste shoqërohet edhe me simptoma të tjera specifike, si ndjesi e fryrjes pas ngrënies, diarre, dhimbje barku, hemorragji gjatë jashtëqitjes, të përziera ose të vjella. Në mjaft raste, njerëzit vazhdojnë të bien në peshë, edhe pse mund të ushqehen normalisht. Pjesa më e madhe e këtyre patologjive menaxhohen nëpërmjet ndryshimeve në mënyrën e ushqyerjes, marrjes së medikamenteve, ose edhe kirurgjisë. Është mjaft i rëndësishëm diagnostikimi dhe trajtimi sa më i hershëm i tyre, pasi marrja e pamjaftueshme e lëndëve ushqyesve nga organizmi mund të çojë në shfaqjen e osteoporozës, depresionit dhe përgjumjes.

Anoreksia nervoreështë një çrregullim i ushqyerjes, që karakterizohet nga një rënie shumë e madhe në peshë. Haset kryesisht në adoleshencë dhe rininë e hershme, 10 herë më shumë tek femrat. Këta individë janë të uritur gjatë gjithë kohës, por konsumojnë sasi të pakta të ushqimit, nga frika se mos shëndoshen. Në bazë të këtij çrregullimi qëndron një perceptim i deformuar i këtyre individëve për trupin e tyre, që i shtyn ata të kufizojnë sasinë ditore të ushqimit në 600-800 kalori (nga 2000-2500kalori që është normalja). Është alarmant fakti që vitet e fundit mosha  në të cilën haset më tepër kjo patologji ka pësuar ulje, nga  13-17 vjeç në 9-12 vjeç./ Shendeti.com.al

Leave a reply