Kosovë, myftiu Tërnava uron Ramazanin dhe apelon për unitet politik

0
79

Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava i dërgoi një urim të gjithë besimtarëve myslimanë për fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Por, ai shfrytëzoi gjithashtu rastin për të lëshuar një apel për unitet politik dhe një perspektivë më të mirë për qytetarët e vendit.

“Në prag të muajit të madhëruar të Ramazanit ftoj të gjithë faktorët tanë institucional që të ruajnë unitetin veprues në dobi të atdheut e qytetarëve tanë. Ftoj që të bëhet më shumë që shteti ynë të jetë vend ku mund të jetohet e punohet me dinjitet. E kemi për detyrim që brezit të ri t’i sigurojmë perspektivë në vendin tonë e jo t’i bëjmë ata që të ikin nga vendi ynë në mungesë të perspektivës”, tha Tërnava në fjalimin e tij.

Tërnava ka theksuar se agjërimi për besimtarët “është një adhurim që bart në vete përkushtimin, vendosmërinë, bindjen e urtësinë”, vlera këto që, siç tha ai, e ekuilibrojnë njeriun, e fisnikërojnë shoqërinë, e ndikojnë njëkohësisht në reflektimin për hyjnoren, njerëzoren dhe humanen.

Besimtarët myslimanë në mbarë botën nisin në 6 maj agjërimin e tyre që nga lindja e diellit e deri në perëndim. Muaji i Ramazanit është periudha kur besimtarët përmbahen rreptësisht nga të ngrënit, të pirit dhe kënaqësitë trupore.

Leave a reply