Kurti: Në shkollë fëmija takon shtetin

0
28

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka uruar të gjithë nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor.

Kurti ka thënë se në shkollë fëmija e takon shtetin dhe se rritja e cilësisë së arsimit është e drejtë themelore dhe duhet të jetë objektiv social i qeverisë së ardhshme, transmeton Telegrafi.

Duke uruar nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor, Kurti ka theksuar se orët e kaluara në shkollë bëhen pjesë e ndërtimit të karakterit, dhe se mësuesit e arsimtaret, shoqet dhe shokët e klasës bëhen pjesë e jetës.

Shkrimi i plotë:

“Në shkollë fëmija takon shtetin

Për nxënësit dita e parë e shkollës qëndron mbi ndërrimin e stinëve, mbi ndërrimin e motmoteve. Ajo e nis organizimin kryesor të përditshmërisë së tyre. Orët e kaluara në shkollë bëhen pjesë e ndërtimit të karakterit. Të gjithësecilit. Mësueset e arsimtaret, shoqet e shokët të klasës, bëhen pjesë e jetës. Andaj nuk është veç dija shkencore që shkolla shtron në sofrën tonë të mendjes, por janë edhe përvojat shoqërore dhe edukimi vleror që bëhen pjesë formuese shpirtërore e jona. Ngadalë kuptojmë se mësimi nuk është veç për të mirën personale të nxënësit a nxënëses, por për të mirën e shoqërisë në përgjithësi. Se mësimi nuk është vetëm tash dhe këtu, e as vetëm për këtë javë, muaj apo vit, por për tërë jetën tonë. Ky duhet të jetë orientimi e frymëzimi për gjeneratat e sotme.

Duke qenë hallka kryesore e sistemit, e drejta për arsim vjen si buqetë për shumë të drejta të tjera. Paçka se sot nuk është, arsimi duhet të jetë garancia për përcaktimin e jetesës sonë.

Në shkollë fëmija takon shtetin. Rritja e cilësisë së arsimit është e drejtë themeltare dhe duhet të jetë objektiv social i qeverisë së ardhshme. Prandaj gëzuar vajzave e djemve fillimin e vitit shkollor”.

Leave a reply