Orientalistika- vendi i orientimit drejt avancimit! Intervistë e realizuar me studentin e orientalistikës z. Egzon Sertolli

0
247
  • Çka të bëri që t’iu hysh studimeve të kësaj fushë?

  Përgjigjja e kësaj pyetje më saktësisht dhe burimisht gjendej thellë e fshehur në prototipin e formimit të personalitetit tim, i cili, edhe pse ndoshta dikur vonë, doli në pah më seriozisht tek gjatë këtyre katër viteve të mia të frytshme studimore në departamentin e Orientalistikës. Them kështu sepse qysh në fëmijërinë time të hershme (4 deri 8 vjeçare) kur jetoja në Gjermani me familjen time , gjithmonë më magjepsnin filmat dhe librat të cilat bazën e kanë pasur nga  orienti, çdo herë si fëmijë kam qenë i apasionuar pas filmave si Aladini me të dashurën e vet Jasminën në Arabi, aventurat e Sindbadit të Bagdadit, bukuroshja Sheherazade nga Persia me Xhinin e saj ,,fatsjellës’’, Alibaba me dyzetë hajdutët, e shumë tregime tjera fiktive me famë botërore, të inspiruar nga përmbledhja orientale ,,Një mijë e një netë’’. Shtoja kësaj faktin se jam pjesë e një familje e cila i përket Islamit, duke jetuar në një vend me përkatësi kryesisht të krishtere që ishin dhe janë në Gjermani, të dy këto fe qiellore dhe me prejardhje nga vetë orienti, pra duke u rritur mes dy kulturave të ndryshme nga një burim i njëjtë ose të paktën i përafërt. Të gjithë këto në mendje ma kanë mbjellë interesimin rreth gjërave të cilat i përkisnin ekskluzivisht orientit.

  • Si e zgjodhët këtë degë?

 Fillimisht, si të gjithë prindërit që ua duan të mirën fëmijëve të tyre, këta të mitë kanë pasur dëshirën që të bëhem mjek, si shkak i kësaj pata fatin e tillë që si shkollë të mesme ta zgjedhë drejtimin e gabuar që në raport me interesat e mia studimore nuk përkonte fare andaj, pa dashur e ndoshta pa u menduar mire, u regjistrova në shkollën e mjekësisë, gjegjësisht në profilin e farmacisë, duke mos dashur që t’ua prishë qejfin prindërve. Me të kryer shkollimin e mesëm në drejtimin tim mëse të padëshiruar, duke e ditur për aftësitë e mia në nxënien e gjuhëve, interesimin tim për histori, kulturë e qytetërime të lashta si dhe mbi të gjitha dashurinë time për letërsi në përgjithësi, e sidomos asaj orientale në veçanti, kam pauzuar 3 vite derisa më në fund e gjeta drejtimin tim të preferuar, dhe jo vetëm, por e gjeta edhe vetveten. Pra, gjeta Orientalistikën dhe të qenit Orientalist!

  • Po gjatë atyre 3 viteve pauzë, ç’bëtë?

  Faktikisht unë qysh në vitin e dytë të shkollës së mesme kam ndjekur ligjërata shtesë për mësimin e gjuhës arabe nëpër hoxhallarë të BIK-ut ku kam mësuar bazat e para të kësaj gjuhe gjatë kohës kur jetoja në Prizren, vendin me më së shumti histori dhe kulturë nga gjurmët osmane-orientale. Pa dyshim që këtë zell për ta mësuar arabishten e kam vazhduar edhe pasi që erdha në Prishtinë për të jetuar, ku e vizitoja qendrën katariane të gjuhëve të huaja ,,Infinit’’ duke mësuar nga, tashmë edhe profesori im, Jahja Hondozi në Degën e Orientalistikës. Më pas në vitin 2013 deri 2014 kam shkuar në Jordani për ta specializuar edhe më tutje gjuhën e mësuar gjatë atyre viteve nëpër hoxhallarë dhe kurse, për tu kthyer më pas të regjistrohem në këtë degë që gjuhën e mësuar deri në atë shkallë modeste, të studioj edhe në fakultet, gjuhë kjo e cila ka ndikim rrënjësor në gjuhët e tjera që mësohen këtu, si; persishtja, turqishtja dhe osmanishtja, ndikim si në aspektin e leksikut ashtu edhe në të shkruarit, sepse osmanishtja-turqishtja e vjetër, e madje edhe shqipja, dikur janë shkruar me alfabet arab.

  • Pse e ndërruat drejtimin prej një fushe në një krejtësisht tjetër?

Pra siç thash edhe më parë, i gjithë fundamenti i formimit tim mental ka lidhje të ngushta me gjërat që i përkasin orientit, andaj ka qenë më se e pashmangshme që orienti të jetë orientimi im!

   Unë besoj bindshëm që dashuria është forca e cila bashkon çdokënd dhe të cilën nuk mund ta ndaj asgjë pos vdekjes. Edhe dashuria ime ndaj shkencave të cilat i ofronte orientalistika kanë qenë të parezistueshme për mua që t’i lë, e t’u përkushtohem gjërave tjera. Për drejtimet e tjera ka qenë a pamundur që të mi përmbushin dëshirat intelektuale dhe shpirtërore në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë.

  • Çfarë mendoni me ,,dëshirat intelektuale dhe shpirtërore në një vend dhe kohë’’?

  Të bëhesh intelektual ndoshta mund të jetë e lehtë, por në këtë intelektualitet të ndërthuret  edhe ana shpirtërore, kjo mendoj që është më e bukura e punës! Me anën shpirtërore e kam për qëllim anën fetare apo besimore që e ushqen çdo qenie njerëzore që beson në Zot, pa dallim besimi të cilit i takon. Marrë parasysh faktin që për 6 shekuj ishim nën impaktin e një kulture orientale si dhe realitetin e fesë që i përkasim shumica e shqiptarëve në gjithë Ballkanin, pastaj studimet rreth feve tjera të gjalla që gjinden nëpër botë si dhe filozofitë e ndryshme mistike, rreth koncepteve të besimeve ndër popuj që i kemi mësuar përgjatë këtyre viteve në Orientalistikë, padyshim që çdokujt do ia mundësonte që t’i kuptonte drejtë dhe njëkohësisht t’i implementonte si në intelektin e vet ashtu edhe në shpirt këto dije të ndritura, e ca edhe të shenjta, të cilat janë të mundura të merren vetëm në Orientalistikë.

  • Po perspektiva? Çfarë vende të punës në të ardhmen mund të gjenden në Kosovë me këto studime?

   Kjo ma kujton pyetjen e famshme të presidentit të SHBA-ës John Kennedit kur në fjalimin e tij të parë si president thotë: mos pyet se çka mund të bëj vendi yt për ty, por pyet çka mund të bësh ti për vendin tënd! Andaj, edhe unë së pari shpresoj që sado pak t’i kontribuoj vendit në fushat në të cilat më së shumti nevojitemi ne si orientalistë, siç është ajo e osmanistikës, fushë në të cilën marrim hapat e parë në këtë degë,  përmes së cilës mësojmë zbërthimin e fakteve administrative e historike, dorëshkrimeve shkencore, kulturore, letrare e fetare të autorëve tanë shqiptarë që i kanë shkruar përgjatë shekujve sa ka administruar  sistemi teokratik i Perandorisë osmane në trojet tona. Në fushën e osmanistikës, për shumë e shumë dekada do jetë i pakët dhe tejet i nevojshëm numri i orientalistëve të specializuar në deshifrimin, transkriptimin dhe përkthimin e teksteve të vjetra osmane që zbardhin edhe më shumë fatin e popullit tonë, andaj sado që të na shtohen osmanologët, prapë do ketë vende pune si nëpër arkiva shtetërore ashtu edhe nëpër institute përkatëse.
Të gjitha ato dorëshkrime gjenden në arkivin shtetëror të Republikës së Kosovës, dhe jo vetëm, të cilat presin dorën e një studiuesi që ti zgjoj si dhe syrin analitik të një orientalisti-osmanolog që ti ndriçoj. Kjo pra, besoj fuqishëm që të mund të jetë një hap i vogël për mua dhe një hap e kontribut i madh i orientalistizmit për shqiptarët!

  • A do ndryshoje diçka në të ardhmen në këtë degë?

   Realisht ndryshimet veç se janë duke ardhur, këtë vit jemi në pritje për finalizimin e akreditimit të programit të masterit i cili është një vjeçar. Kështu që studentët do kenë mundësi të kryejnë masterin në kuadër të UP-së, duke mos qenë të detyruar që të dalin të kryejnë me shpenzime të larta studimet e ciklit të dytë jashtë vendit. Ajo që do ta plotësonte orientalistikën deri në fund, dhe që është edhe dëshira dhe përgjigjja ime në këtë pyetje, do ishte që të realizohej gjithashtu edhe cikli i tretë, atë të studimeve të doktoratës, enkas për shkencat orientale!

  • Cila është këshilla juaj drejtuar të rinjve që ende s’kanë vendosur se ku të regjistrohen?

   Për mua Orientalistika do mbetet vatra e dijes ku janë të mishëruara shkenca, shpirtërorja dhe ana patriotike për një personalitet të formuar më së afërti përsosmërisë. Kështu pra, kush dëshiron që t’i ofrohet kjo përsosmëri, mirëpo duke ia bashkangjitur edhe punën e palodhshme me zell të madh, le të urdhëron e mos të heziton. Mundësinë më të artë në përvetësimin e këtyre dijeve do e gjejë brenda klasave të kësaj dege, pranë profesorëve-doktorë të specializuar po ashtu në vetë orientin e gjerë! Gjithashtu në degën tonë janë të hapura dyert në marrjen e bursave, si financiare në kuadër të fakultetit ashtu edhe ato studimore, duke ua mundësuar studentëve të studiojnë si në vendet perëndimore ashtu edhe në ato të lindjes. Nga vetë përvoja ime, e them me plotë përgjegjësi, se mundësitë, perspektiva dhe avancimi për një të dashuruar pas shkencës janë mëse evidente në orientalistikë.

Leave a reply