Pse zgjodha Orientalistikën?

0
483

Liridona Berkolli- Studente e vitit te katërt në departamentin e Orientalistikës të Fakultetit të Filologjisë në UP

Çfarë iu shtyri të studioni në drejtimin e Orientalistikës, në Universitetin e Prishtinës?

Në shkollë të mesme kam pasur fatin te njihem me disa nga gjuhët perëndimore, dashuria per gjuhët më është mbjellur qysh atëherë. Kur perfundova shkollën e mesme, e vetmja gjë që dija ishte ajo që do të vazhdoja te mirrem me gjuhët e huaja. Kështu, ju drejtova Fakultetit të Filologjisë për të mësuar se çfarë ofronte. Në mesin e shumë gjuhëve, drejtimeve që ofroheshin pashë edhe Orientalistikën, për të cilën nuk kisha dëgjuar më parë, kurreshtja nuk më linte rehat, doja të dija më shumë rreth kësaj dege. Mësova që në këtë departament studiohen gjuha turke, arabe, perse dhe osmane, qershia mbi tortë ra kur kuptova që studimet këtu nuk ndaleshin vetëm me gjuhët, por, thelloheshin edhe në fushën e historisë, kulturës dhe letersisë.
Pikëpyetje të mëdha kisha në kokën time, për herë të parë e kisha timonin në duart e mia dhe duhej të kisha kujdes se nga e drejtoja. Përkunder të gjithave vendosa të filloja rrugëtimin tim këtu, përgjatë këtij rrugetimi unë mësova, morra më shumë se ç’prisja dhe ç’mendoja në fillim.

Pasi që dega e Orientalistikës është pak e dëgjuar, a mund të na tregoni më shumë se çfarë studiohet?

Orientalistika si objekt të saj kryesisht ka studimin e gjuhëve, letërsive dhe kulturave të Lindjes, përkthimin nga gjuhët orientale (arabishtja, persishtja dhe turqishtja) në shqip të shkrimeve dhe arritjeve të dijetarëve lindorë, si dhe gjurmimin e trashëgimisë shqiptare islame.
Programet mësimore të Degës së Orientalistikës përfshijnë gjuhën arabe me letërsi, gjuhën turke dhe pjesërisht edhe atë perse. Një strukturë e këtillë e programeve mësimore konfirmon orientimin e praktikave për orientimin e të diplomuarave në fushën e letërsisë, gjuhësisë, historisë, filozofisë dhe islamistikës.

Po kur u regjistruat a dinit ndonjërën prej gjuhëve të cilat studiohen në Orientalistikë?

Të jem e sinqertë me ju, jo, nuk i dija dhe për këtë arsye në fillim kam hezituar. Më pas u informova që nuk duhej t’i dija këto gjuhe për tu regjistruar, pasi që, në departament studiojmë gjuhët duke filluar me gjëra bazike. Por, kjo nuk ishte arsye të mos arrihet suksesi. Mund të them pa hezituar që, falë punës së profesorëve tanë si dhe vullnetit e punës tonë, të gjithë ne kemi arritur t’i përvetesojmë këto gjuhe në nivel të lartë, për të vazhduar më pas me studimin më të thellë të gjuhëve dhe kulturave të orientit. Obviously, ndonjërën më shumë e ndonjë më pak.

Çka pas diplomimit? Cilat mundësi studimi i keni për studimet master pas Orientalistikës?

Më parë mendoja të vazhdoja studimet postdiplomike në Gjuhë Shqipe ose në Gjuhë Angleze. Por, tash vonë kemi marr lajmin që dega jonë është akredituar edhe në programin master dhe për herë të parë në Universitetin e Prishtinës sjell studime kulturore. Shpresoj të kem fatin të jem pjesë e gjeneratës të parë.
Sa i përket pyetjes çfare mundësi kemi… Orientalistika, me të vërtetë është drejtim i gjerë i cili nuk ndalon vetëm në studimin e gjuhëve, kështu që, përveç gjuhëve mund të orientohemi edhe në fusha tjera studimi.

Po çfarë lidhje ka gjuha shqipe me studimet e juaja?

Ka lidhje shumë. Të gjithë i dijmë gjurmët që ka lënë Perandoria Osmane në trojet shqiptare, si në aspektin kulturor ashtu edhe në gjuhë. Poashtu, të mos i harrojmë edhe shqiptarët jo të paktë në numër, të cilët ishin shumë të sukseshëm në apogjeun e kësaj perandorie. Shkrimtarë të mëdhenjë, disa prej tyre të cilët përmendën pak, pothuajse fare në letersinë shqipe.
Gjatë studimeve kemi pasur fatin të mësojmë shumë edhe për të kaluarën e vendit tonë dhe të shohim ndryshimet që ka pësuar kultura dhe gjuha jonë ndër vite.

Liridona, kishim edhe shumë pyetje tjera për tju bërë por u pergjigje në shumicën prej tyre pa pasur nevojë të vazhdojmë më tutje. Faleminderit për kohën.

Falemnderit juve.

Leave a reply