Trump: India e Pakistani mund ta trajtojnë vetë problemin e Kashmirit

0
32

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se India dhe Pakistani mund ta trajtojnë vetë mosmarrëveshjen mbi rajonin e Kashmirit, por shtoi se ai është aty nëse dy vendet kanë nevojë për ndërmjetësim.

Trump e diskutoi këtë çështje me kryeministrin e Indisë, Narendra Modi, në margjina të samitit të G7-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, që po i zhvillon punimet në Francë.

Ai tha se është i gatshëm të ndihmojë në ndërmjetësim, por shtoi se Modi e ka siguruar se e ka situatën “nën kontroll”.

Duke folur përkrah Trumpit, Modi tha se Kashmiri është një çështje dypalëshe midis Nju Delhit dhe Islamabadit.

Tensionet midis Indisë dhe Pakistanit janë përshkallëzuar prejse Nju Delhi e tërhoqi statusin e veçantë të pjesës së Kashmirit të administruar nga India, ditë më parë.

Rajoni i diskutueshëm i Himalajeve është i ndarë midis Indisë dhe Pakistanit, por pretendohet si tërësi nga të dyja vendet.

India ka refuzuar prej kohësh përpjekjet e jashtme për të zgjidhur konfliktin, ndërsa Pakistani ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare.

Dy vendet kanë zhvilluar dy luftëra për kontrollin e Kashmirit.

Leave a reply