Zemërim në Britani pasi Johnson detyroi pezullimin e Parlamentit

0
39

Vendimi i kryeministrit britanik, Boris Johnson, për të pezulluar punën e Parlamentit nxiti reagime të ashpra nga deputetët dhe kundërshtarët e Brexit-it pa marrëveshje.

Ai po ashtu shkaktoi protesta në gjithë Britaninë dhe një peticion me më shumë se një milion nënshkrime.

Mbretëresha Elizabeta II, të mërkurën, e miratoi zyrtarisht kërkesën e Johnsonit për të pezulluar punën e Parlamentit para Brexit-it, apo largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Brexit-i pritet të ndodhë më 31 tetor dhe pezullimi i punës së Parlamentit do të zvogëlojë dukshëm kohën e ligjvënësve për të diskutuar largimin nga blloku.

Johnson do që Brexit-i të ndodhë më 31 tetor, me ose pa marrëveshje me BE-në, edhe pse institucionet financiare e kanë paralajmëruar Britaninë për pasoja të rënda ekonomike nëse e lë bllokun pa marrëveshje mbi kushtet e divorcit.

Kryetari i Parlamentit britanik, Jacob Rees-Mogg, tha se kundërshtarët e kryeministrit nuk janë të sinqertë dhe “thjesht duan të qëndrojnë në BE”.

Jeremy Corbyn, udhëheqës i Partisë Laburiste në opozitë, tha se pezullimi i punës së Parlamentit është “një goditje e fortë kundër demokracisë” dhe përsëriti se mund të thërrasë një votim mosbesimi ndaj Qeverisë së Johnsonit.

Mijëra njerëz protestuan në Londër, Mançester, Edinburg dhe qytete të tjera, ndërsa një peticion në internet që e dënon vendimin për Parlamentin mblodhi më shumë se 1.1 milion nënshkrime deri në mëngjesin e së enjtes.

Derisa Johnson këmbënguli se Parlamenti do të ketë mundësi për të debatuar mbi programin e përgjithshëm të qeverisë dhe qasjen ndaj Brexit-it, udhëheqësja e Demokratëve Liberalë në opozitë, Jo Swinson, i tha BBC-së se kryeministri “është i gatshëm t’i heshtë zërat e njerëzve përmes përfaqësuevse të tyre në Parlament”.

Leave a reply